Në vazhdim të një kronike të papërfunduar, dhjetë vite pas botimit të librit “Iluzione në sirtar”, shkrimtari Fatos Kongoli sjell për lexuesit librin e tij të ri, “Kapitulli i Amerikës”.

Kongoli në këtë libër ndalet tek shtatë vjet të jetuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë fëmijëve të tij, vajzës Eldës dhe djalit Dorit, bashkë me bashkëshorten Lilin. Ai përshkruan edhe takimet me intelektualët shqiptaro-amerikanë, që prej kineastit Piro Manit, e shumë emra të tjerë të njohur.

Shkrimtari u rikthehet sërish edhe poshtërsive të dy punonjësve të ish-sigurimit të shtetit, V.M. dhe Dh.SH., persekutorë edhe përndjekës të intelektualëve.

“Këtë fakt e kam brenda meje, e mendoj edhe reflektoj për të. Ata janë njerëz që njihen botërisht, sepse kanë bërë shumë mëkate, janë ish-persekutorë të intelektualëve. Njërin prej tyre e kam komshi. E shikoj edhe sot dhe ndiej neveri kur e shikoj, asgjë tjetër”, thotë Kongoli. “Është një problem shumë i madh për shoqërinë tonë sot. Nuk ecet dot përpara kështu, sepse ish-kriminelët edhe persekutorët e djeshëm nuk kërkojnë falje. Atyre nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, përkundrazi”. /Shqiptarja/

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here