Skandali i një grupi karabinierësh në Itali ka shokuar opinionin publik pas daljes se përgjimeve dhe shndërrimit në një bande të mirëfilltë kriminale të atyre që duhet të ishin në frontin e parë kundër shkelësve të ligjit në Itali. Hetimet kanë nxjerrë në pah trafikun e drogës, shantazhin dhe torturat që kryheshin nga karabinierët e Piaçencës nën drejtimin e shefit të tyre.

“Ne jemi të paprekshëm”, dëgjohet të thotë një prej tyre, ndërsa bisedon me kolegët e tij në përgjimet e siguruara nga prokuroria italiane. Përgjimet janë në titujt kryesore të të gjitha mediave italiane, ndërsa një prokuror është shprehur se “asgjë që ndodhte mes këtyre karabinierëve nuk ishte e ligjshme, ata ishin kriminelë të mirëfilltë”.

Ngjarjet më të rënda kanë ndodhur gjatë karantinës në Itali, megjithëse hetimet nisën që në 2017. Ndërsa Piaçenca numëronte të vdekurit nga koronavirusi, karabinierët shpërndanin drogë për përdoruesit që ishin mbyllur në shtëpi, tha prokurori.

Krahasimi që bëhet është me organizatat kriminale të Italisë. Të dyshuarit që përfundonin në komisariat torturoheshin. Një foto e shpërndarë në media, tregon një prej tyre të ulur në tokë, me duart në pranga dhe fytyrën e gjakosur.

Një prej të akuzuarve dëgjohet të thotë në përgjime se tashme është krijuar një bandë e fortë dhe se shpejti do të kenë ngritur një piramidë, ku trupa e karabinierëve do të ishte në majë, si të paprekshëm.

Ngjarja rrezikon të njollosë trupën prej 110 mije karabinierësh, që çdo ditë përballen me krimin, por gjithsesi hetimet kanë zbuluar edhe raste, kur të tjerë përfaqësues të ligjit kanë refuzuar të bëhen pjesë e torturave të të arrestuarve, trafikut të drogës apo shantazheve.

Tv Klan

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here