Në konferencën për mediat, këtë të mërkurë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se sipas sondazheve të tij, demokratët kërkojnë që ai të drejtojë partinë, për të cilën tashmë është futur në garë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Basha u shpreh se nuk ka nevojë të bëjë takime me bazën e partisë, ashtu siç po bën Sali Berisha. Madje, ai theksoi se nuk po e bën këtë gjë, pasi nuk do që Berisha të vendoset në pozitë inferioriteti.

“….Do dal përsëri. Nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe kush i mbush sallat më shumë, sepse e di që ajo është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt. As ndaj zotit Berisha, ta vendos në pozicion të tillë inferioriteti.”

Po ashtu, Basha deklaroi edhe një herë se vendimi për përjashtimin e Berishës u mor pas një vendimi të marrë më parë nga SHBA në interes të demokratëve dhe të shqiptarëve.

Përçarja e partisë për interesa personale, shtoi Basha, nuk i shërben as tij dhe as Berishës.

“Kjo nuk është midis meje dhe zotit Berisha. Situata dihet fare mirë, vendimmarrja ka ardhur pas një vendimmarrjeje të SHBA-ve dhe interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmes së shqiptarëve që nuk mund t’u shërbehet pa një PD të fortë dhe të vendosur për t’u përballur me regjimin e Ramës. Nuk i shërben përçarja e partisë për interesat personale të Lulzim Bashës dhe as Sali Berishës. Kjo është arsyeja se përse jam vetëpërmbajtur dhe do të vijoj të vetëpërmbahem.”

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here