Një djalë i ri, nuk besonte në Zot dhe gjatë një debati në shtëpi, vendosi të mos fusë më ushqim në gojë duke thënë: Zoti nuk mund të më detyrojë mua të ha ushqim me zor, ja një provë që ai nuk ka fuqi për çdo gjë.

Prindërit iu lutën që të heqë dorë nga ky eksperiment i çmendur, por ai ishte i vendosur. E jëma nuk mundej ta shihte djalin pa ngrënë, kështuqë i pregatiti një darkë shumë të shijshme dhe po i përgjërohej të hante. Por djali nuk pranoi, u besdis aq shumë sa që doli nga shtëpia dhe hipi në një pemë.

Nëna si nëna, e ndoqi dhe ia la ushqimin poshtë pemës me shpresën që kur djalin ta merte uria, të ulej dhe ta hante. Kaluan disa orë dhe ai nuk zbriste. Në mbrëmje, kalojnë disa hajdutë dhe habiten me ushqimin poshtë pemës. Nuk po i rezistonin dot atij vakti të shijshëm dhe sapo u afruan për të ngrënë, sytë i zunë djaloshin mbi pemë.

Menjëherë menduan që djali ka helmuar ushqimin me qëllimin për ti vrarë hajdutët. E detyruan të zbresë dhe e urdhëruan të hajë ushqimin për të provuar që në ushqim nuk kishte helm. Ai bëri rezistencë por ata filluan ta godasin me grushta e me shqelma derisa një moment, i riu u dorëzua. E hëngri ushqimin deri në lugën e fundit.

Mësimi: Për shumë prej nesh do të jetë e vështirë ta pranojnë, por Zoti është orkestruesi dhe rregullatori i kësaj mrekullie që quhet “jetë”. Nëse vullneti i tij është që një proces të ndodhë, nuk ka forcë që ta pengojë realizimin e tij.

Anila Kalleshi

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here