Kjo ekspozitë pasqyron luftën që regjimi diktatorial zhvilloi kundër fesë, strategjinë që ndoqi shteti komunist për asgjësimin e saj, propagandën brutale, që shoqëroi jetën e shqiptarëve për 47 vite, por edhe rezistencën e admirueshme të klerit dhe besimtarëve në përballjen me terrorin përndjekës shtetëror. Të gjitha këto regjimi komunist i zhvilloi çdo ditë të pushtetit të tij.
Valët e persekutimit të klerit dhe besimtarëve mund të ndahen në periudha të ndryshme.
E para fillon menjëherë nga viti 1944 dhe vazhdon egërsisht deri në fund të vitit 1946, kohë kur si bazë ligjore shërbejnë vendimet e Këshillit Nacional Çlirimtar i cili nuk ishte një organ legjislativ. Akti i parë nëntor 1944 është ai i ndalimit përfundimtar të botimit të organeve të shtypit fetar. Më vonë arrestohen, torturohen, dënohen me burgime të rënda dhe ekzekutohen shumë klerikë.

Vala e dytë përfshin periudhën 1947-1950. Në këtë kohë goditet udhëheqja e lartë e klerit, për t’i hapur rrugë një manovre djallëzore që synonte t’i vinte strukturat fetare në shërbim të pushtetit.

Vala e tretë vazhdon pas vitit 1951. Shteti përpiqet të nënshtrojë klerin duke e futur nën ndikimin e vet, por ndesh në rezistencën e mjaft klerikëve katolikë, të cilët refuzojnë të nënshkruajnë Statutin e Kishës Autoqefale Katolike. Edhe pse jo i lartë në numër, persekutimi ishte njëlloj i egër duke çuar në pushkatim disa klerikë.

Vala e katërt dhe e fundit është ajo që fillon në vitin 1967 vit kur Shqipëria vetëshpallet me krenari i pari shtet ateist i Botës.

Lufta ndaj fesë nuk kurseu as trashëgiminë kulturore, edhe pse ekzistonte ligji për mbrojtjen e saj. Bashkë me persekutimin e klerikëve, një valë shkatërruese përplaset edhe në objektet e kultit dhe bazën materiale të besimeve fetare Librat e shenjtë u zëvendësuan me Veprat e diktatorit simbolet fetare me simbole partiake. Feja e re ishte marksizëm – leninizmi besimtari i ri ishte ateisti pa shpirt, Njeriu i ri – vepra më e çmuar e Partisë ndërsa betimi në Zot u konvertua në betimin solemn Për ideal të Partisë
Deri në vitet 90 asnjë rit fetar nuk u celebrua. Derisa një ditë si drita përtej errësirës praktikimi i fesë shfaqet publikisht në nëntorin e vitit 1990.
Poashtu nëpërmjet kësaj ekspozite përkujtojmë të githë ato njerëz që u dënuan, vuajtën në burg, vdiqën në tortura apo u ekzekutuan, vetëm për shkak të fesimit dhe funksionit të tyre fetar. Është e rëndësishme që të evidentohet edhe aktiviteti i atyre që ishin në anën tjetër të llogores. Persekutorët që dhanë dënime, hetuan, torturuan apo ekzekutuan njerëz të pafajshëm janë përgjegjës të drejtpërdrejt të asaj çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë viteve të regjimit komunist. Bashkë me diktatorin dhe pjesën tjetër që udhëhoqën Shqipërinë gjatë asaj periudhe, janë përgjegjës edhe drejtuesit e organeve ndëshkimore, për çdo dënim të dhënë për bindje fetare, politike apo shoqërore. Shqipëria është në një proçes të gjatë të ballafaqimit të saj me të kaluarën e errët dhe nëpërmjet kësaj ekspozite synojmë të japim kontribut.
Mare nga Observatori i Kujteses

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here