Policia e Durrësit zbardh shkakun e ngjarjes rrugore të ndodhur ditën e djeshme në Rromanat, ku një 57-vjeçar u godit për vdekje nga një makinë, që drejtohej nga 41-vjeçari M. I.

Sipas uniformave blu, ngjarja dyshohet se është vrasje me dashje për hakmarrje, pasi babai i 57-vjeçarit ka vrarë në vitin 2006 babain e autorit.

Njoftimi i policisë:

Falë veprimeve profesionale rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor, por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje.

Vihet në pranga 41-vjeçari, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i kqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesonale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

M.I., 41 vjeç, banues në Rromanat, Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi më datë 10.10.2020, rreth orës 15;00, në fshatin Rromanat, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat”, në gjëndje të dehur, ka goditur këmbësorin shtetasin Sh.E., 57 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i cili si pasojë e goditjeve të marra, ndërroi jetë.

Shtetasi M.I., dyshohet se ka goditur shtetasin Sh.E., për motive hakmarrje, pasi shtetasi Q.E., (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I., (babai i të dyshuarit).

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here