TIBO shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit sa i përket çështjes së bashkëpunimit me Digitalb.

Opinioni publik e di se në muajin maj Digitalb prishi, pa shkak e në mënyrë të njëanshme, kontratën e bashkëpunimit me TIBO-n duke shkelur edhe të gjitha klauzolat për periudhat e parapaguara. Për ndalimin e ndërprerjes së sinjalit për klientët, dëmin e shkaktuar, fitimin e munguar dhe penalitetin prej €2 milionë të parashikuar në kontratë, TIBO ka paditur Digitalb në Gjykatën e Tiranës.

Por teksa çështja është në gjykim, shqetësimi kryesor për kompaninë TIBO është kthyer veprimtaria e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), e cila ka qenë e njëanshme. Ajo nuk ka vepruar dhe as shqyrtuar ankesat e TIBO-s për ndërprerje të sinjalit nga Digitalb për abonentët që e kishin parapaguar shërbimin.

AMA ka treguar se vepron nën trysninë e Digitalb duke lejuar që përmes televizionit kombëtar Top-Channel të shantazhojë tregun për të imponuar marrëveshje të pabarabarta.

Kjo vijon prej disa kohësh me kronikat e porositura, mbetje të gjeneratës së shkuar të tregut gjobëvënës mediatik, por TIBO ka maturinë e duhur ta sqarojë opinionin me detaje dhe rend kronologjik rreth çështjes që ka nxjerrë nga binarët Digitalb-in nga frika për të paguar dëmet që ka shkaktuar keq-menaxhimi i tyre.

Përgjigja e TIBO-s në lidhje me qasjen e Digitalb-it, (Top-Channel-it etj.) është detyrim për abonentët dhe partnerët e saj, të cilët kanë të drejtën të dinë të vërtetën.

Kronologjia e çështjes TIBO-Digitalb:

20 janar 2020 – TIBO dhe Digitalb nënshkruajnë kontratë bashkëpunimi (deri në dhjetor 2029). TIBO parapaguan shërbimet që do të marrë nga Digitalb-i deri në qershor 2022.

22 prill 2021 – Në paranojë nga një humbje e mundshme e tenderit të Serie-A, Digitalb ngre pretendime dashakeqe ndaj TIBO-s duke kërcënuar me ndërprerje sinjali.

22 maj 2021 (e shtunë) – Digitalb i ndërpret pa shkak sinjalin TIBO-s. Ndërprerja bëhet pa lidhur komunikim me platformën, e cila pëson “black-out”. Për të rikthyer sinjalin TIBO vë në punë kartat “back-up” të autorizuara nga marrëveshja me Digitalb.

24 maj 2021 – TIBO i drejtohet AMA-s dhe Autoritetit të Konkurrencës (AK) për ndërprerjen e sinjalit nga Digitalb në shkelje të kontratës.

25 maj 2021 – Digitalb i kërkon TIBO-s takim për të negociuar të drejtat e Serie-A. TIBO përgjigjet duke theksuar se nuk i gëzon ato pasi nuk ka marrë pjesë në tender. TIBO kërkon gjithashtu që në takim të flitet për mundësitë për të rregulluar bashkëpunimin pas dëmit të shkaktuar me ndërprerjen e sinjalit më 22 maj.

31 maj 2021 – Digitalb njofton prishjen e njëanshme të kontratës së bashkëpunimit me TIBO-n. Prishja bëhet në anashkalim të klauzolave kontraktuale. Më vonë Digitalb shkëput edhe sinjalin e transmetimit.

1 qershor 2021 – TIBO i thekson Digitalb-it klauzolat kontraktuale, hyrjen në fazën tranzitore të garantimit të shërbimit për klientët që kanë parapaguar, si dhe penalitetin prej €2 milionë të parashikuar për prishje të njëanshme.

8 qershor 2021 – AMA i thotë TIBO-s se nuk ka kompetencë të vendosë për mos-marrëveshje kontraktuale dhe se për këto çështje vendos vetëm gjykata.

16 qershor 2021 – TIBO padit Digitalb-in në Gjykatën e Tiranës duke kërkuar sigurimin e sinjalit për periudhën tranzitore, dëmshpërblimin për prishjen e njëanshme të kontratës dhe fitimin e munguar.

11 gusht 2021 – TIBO i kërkon AMA-s, AK-së, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) garantimin e sinjalit sipas kushteve të kontratës (deri në një vendim të gjykatës).

12 gusht 2021 – TIBO i përcjell AMA-s, AK-së, AMF-së dhe AKEP-it kontratën me Digitalb-in së bashku me ankesat përkatëse për çështjen. Në të dy rastet TIBO nuk merr përgjigje nga këto autoritete.

16 gusht 2021 – AMA nis hetim ndaj TIBO-s mbi pretendimet e Digitalb-it se “piraton kanalet e saj”. Me këtë hetim AMA shpërfill ligjin që thotë se asnjë institucion nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mos-marrëveshje që është duke u shqyrtuar në gjykatë.

19 gusht 2021 – TIBO i përcjell sërish AMA-s klauzolat kontraktuale dhe një seri dokumentesh që parashikojnë fazën tranzitore të transmetimit/ritransmetimit.

23 gusht 2021 – TIBO i shpreh AMA-s shqetësimin për trajtim të pabarabartë për çështjen.

30 gusht 2021 – TIBO përcjell të tjera dokumente dhe materiale faktike për dëmin e shkaktuar nga Digitalb me ndërprerjen e njëanshme të kontratës.

31 gusht 2021 – AMA i thotë TIBO-s se nuk ka kompetenca të shqyrtojë ankesa apo pretendime mbi çështjet kontraktuale dhe se këto çështje i shqyrtojnë gjykatat. Sidoqoftë ajo i kërkon TIBO-s të ndërpresë transmetimin e kanaleve të Digitalb në platformën e saj, pavarësisht se ato parashikohen në kontratën e janarit 2020 që ka kaluar në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës.

13 shtator 2021 – TIBO i tregon sërish AMA-s si qëndron çështja me Digitalb dhe i shpreh gatishmërinë për një zgjidhje tjetër të ndërmjetësuar prej saj nëse AMA e detyron Digitalbin të respektojë detyrimet e kontratës.

20 shtator 2021 – AMA i thotë TIBO-s se po e heton për llogari të Digitalb-it për të verifikuar nëse transmetimet në TIBO në respektim të të drejtave televizive, por ajo nuk citon detyrimet kontraktore që ka Digitalb-i ndaj TIBO-s.

27 shtator 2021 – TIBO i rikujton AMA-s klauzolat kontraktuale me Digitalb-in. Ajo i citon ligjin se nuk ka kompetenca të shqyrtojë apo vendosë mbi çështje që janë në gjykatë dhe se, sipas detyrimeve të kontratës, në platformë i ka njoftuar abonentët që pas datës 1 qershor 2022 nuk do të kenë mundësi t’i aksesojnë kanalet e Digitalb-it.

27 shtator 2021 – AMA gjobit TIBO-n me 1 milionë lekë pa marrë në konsideratë pretendimet kontraktuale, shkresat e mëparshme dhe faktin se është në shkelje të kompetencave.

6 tetor 2021 – TIBO ankimon gjobën e AMA-s dhe kërkon sërish që Digitalb t’i garantojë sinjalin për transmetimin e kanaleve deri në qershor 2022.

30 shtator 2021 – AMA nis hetim për TIBO-n pas ankesës së Tv Klan, e shtyre nga Digitalb, rreth transmetimit të eventeve sportive.

5 tetor 2021 – TIBO përgjigjet duke cituar kontratën me Digitalb dhe klauzolën për periudhë tranzitore në rast të prishjes së saj.

11 tetor 2021 – AMA gjobit TIBO-n me 2 milionë lekë duke anashkaluar faktin se kanalet sportive ishin pjesë e kontratës me Digitalb.

12 tetor 2021 – AMA nis hetim për TIBO-n pas ankesës së Top-Channel, e shtyrë nga Digitalb, rreth transmetimit të kanaleve Top-Channel, Top-News dhe Melody TV.

15 tetor 2021 – TIBO përgjigjet me shqetësim se hetimet dhe gjobat në seri të AMA-s po bëhen në lidhje me të njëjtën çështje mos-marrëveshjeje, kontratën TIBO-Digitalb, prishja e së cilës është në shqyrtim nga Gjykata e Tiranës.

18 tetor 2021 – AMA nis hetim për TIBO-n pas pretendimit të Digitalb se “TIBO piraton kanalet Big Brother”.

25 tetor 2021 – TIBO përgjigjet se është e pamundur të aksesohen nga abonentët e platformës së saj kanalet “Big Brother”.

29 tetor 2021 – AMA thërret për seancë dëgjimore përfaqësuesit e TIBO-s. Gjatë seancës konstatohet se gjatë monitorimit të platformës TIBO, AMA ka përdorur aplikacione të kundërligjshme që thyejnë sistemin. Drejtori i Drejtorisë së Mbikëqyrjes, Ervin Çelaj, refuzon të mbajë procesverbal për takimin.

29 tetor 2021 – TIBO i paraqet AMA-s një regjistrim monitorues certifikuar nga një zyrë noteriale ku tregohet se kanalet “Big Brother” nuk aksesohen në platformën e saj.

1 nëntor 2021 – AMA gjobit TIBO-n me 2 milionë lekë duke anashkaluar të gjitha pretendimet dhe ankesat e kompanisë për mënyrën e kundërligjshme të monitorimit.

Me shpresën se AMA dhe autoritetet e tjera përgjegjëse do të dinë si t’i bëjnë ballë trysnisë së Digitalbit, TIBO ka besim se çështja do të marrë zgjidhjen e duhur në rrugë ligjore.

Të zgjedhësh TIBO-n është zgjedhja e duhur!

The post E vërteta në çështjen TIBO-Digitalb, nga çfarë ka frikë Eglinor Ramaj? appeared first on Roba Da Albanesi.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here