Kompania e pastrimit në Rrogozhinë ‘Viola Green’ u gjobit pasi mbetjet i derdhte në lumin Shkumbin. Ndërsa sot IKMT ka vendosur gjobë edhe ndaj Bashkisë së Rrogozhinës. Në njoftimin e bërë publik nga policia, thuhet se nga verifikimet e kryera në terren është vërejtur një situatë e rënduar  si pasojë e mbetjeve urbane të hedhura pa kriter. Bashkia është ndëshkuar se edhe pas vërejtjeve nuk ka marrë masat për të pastruar territorin. Gjoka kap vlerën e 2 milionë lekëve.

Njoftimin e plotë e gjeni si më poshtë:  

“IKMT ka kryer verifikime në shtratin e lumit Shkumbin në territorin e bashkisë Rrogozhinë ku është vërejtur një situatë e rënduar mjedisore si pasojë e mbetjeve urbane të depozituara pa kriter. Në kushtet kur Bashkia Rrogozhinë, edhe pas njoftimeve e kërkesave për marrje masash, nuk ka kryer veprime konkrete për pastrimin e territorit, IKMT ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë 2 milion lekë ndaj Bashkisë.

Pak javë më parë, përgjatë kontrolleve në territor u konstatuan hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës ishte kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”. Ky subjekt u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin. IKMT mori masë administrative ndaj Kompanisë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.

IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojnë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital”

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here