Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi vendimin që norma e tatimfitimit do të jetë zero për tatimpaguesit me xhiro nga 0-14 milionë lekë më parë ishin të përjashtuar nga tatimfitimi subjektet me xhiro nga 0-5 milionë lekë.

Një tjetër nismë që ende nuk ka marrë formë ligjore, është rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë lekë që është sot, në 10 milionë lekë.

Sipas të dhënave nga Tatimet dhe të përpunuara nga ‘Monitor’, në total në vitin 2019, bizneset që preken nga këto dy ndryshime kanë paguar 4.3 miliardë lekë tatimfitimi dhe TVSH (78% e kësaj shume i përket TVSH-së së paguar), ose 34 mln euro. Kjo shumë përbën 1.4% të totalit të të ardhurave tatimore e doganore që u mblodhën në 2019-n, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Por, sa biznese pritet që të përfitojnë nga këto nisma dhe sa tatimfitimi dhe TVSH janë paguar në vitin 2019 nga subjektet që preken nga këto ndryshime.

94 mijë biznese të vogla nuk paguajnë as sot tatimfitimi
Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, në vend janë 94 mijë biznese të vogla, të cilat kanë një qarkullim nga 0-5 milion lekë, nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e tatimfitimit të thjeshtuar (TFTH). Këto subjekte, që përbëjnë 83% të subjekteve totale në vend, nuk preken nga ndryshimi i fundit, pasi edhe sot nuk paguajnë tatim fitimi.

9,305 subjekte të vogla nuk do të paguajnë më tatimfitim të thjeshtuar

Sipas të dhënave të Tatimeve, numri i bizneseve me qarkullim nga 5-14 milion lekë nga të ardhurat e deklaruara për vitin 2019 nga deklarata e TFTH është 9,305. Këto biznese, paguajnë tatimfitimi të thjeshtuar prej 5%. Në vlerë, tatimfitimi (ose TFTH) i paguar prej tyre në vitin 2019 ishte 945 milionë lekë, ose 7.6 milionë euro.

Kjo shumë përbën 2.6% të totalit të tatimfitimit që është paguar nga bizneset në vitin 2019, sipas të dhënave të tjera të Ministrisë së Financave. Në total, në vitin 2019, bizneset paguan 36.6 miliardë lekë tatimfitim, që përbën 12% të totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat në vend.

Rritja e pragut të TVSH-së, përjashton 46 mijë biznese nga skema
Ndërsa përfituesit nga bërja zero e tatimfitimit për gjithë bizneset e vogla janë të pakët në numër, dhe efekti në buxhet është i ulët, efekti nga rritja e pragut të TVSH-së pritet të jetë më i lartë. Sipas të dhënave nga tatimet, numri i bizneseve që kanë deklaruar TVSH me xhiro nën 10 milionë lekë është 46.1 mijë. TVSH e paguar nga kjo fashë në vitin 2019 është 3.4 miliardë lekë lekë.

Kjo shumë është po sa rreth 2.6% e TVSH-së së paguar në vend. TVSH është zëri kryesor që sjell të ardhura në buxhet dhe në 2019-n, nga ky zë u mblodhën 132 miliardë lekë, ose 43% e totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat.

Aktualisht për TVSH-në, pragu hyrës është 2 milionë lekë. Ky prag u ul dy vite më parë, nga 5 në 2 milionë lekë. Ky vendim u kundërshtua hapur në atë kohë nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohej për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Tashmë qeveria po e rrit pragun në 10 milionë lekë.

FMN kërkoi unifikimin e pragjeve tatimore
FMN në një raport të fundit për strategjinë fiskale e ka këshilluar qeverinë që të mos ketë pragje të ndryshme përjashtimore, por ato të unifikohen. “Kemi ndjekur me shqetësim një propozim të kohëve të fundit për të hequr deri në vitin 2029 tatimin mbi fitimin për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë dhe TVSH- në për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor deri në 10 milionë lekë.

Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga këto kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirorientuar, transparente, si dhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm.

Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore”, tha FMN në një deklaratë të fundit. /Monitor/

Tatimfitimi

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here