Kishim dëgjuar prej kohësh për një emër të njohur që kuron imazhin e personazheve më në zë të Amerikës. Brunilda Mukollari, ka studiuar në shkollat më të mira të profilit make-up artist hair designer dhe kozmetikë në Akademinë parisiene në Nju Xhersi. Në punën e saj 15 vjeçare, profesioni e ka qasur dhe me emra të mëdhenj të kinematografisë amerikane, modelingut, industrisë së bukurisë, apo bashkëpunime e projekte të ndryshme me personazhë të njohur si Sara Roumor Zach Efron Evelina dhe Kevin Toren, Richard Gere e shumë të tjerë, të cilës ia kanë besuar stilimin e flokëve.

Brunilda Mukollari një vajzë e lindur dhe e rritur në qytetin e bukur të mjellmave Pogradec, e ardhur nga një familje me tradita qytetare, njihet nga të gjithë për bizneset e shumëllojshme, por mbi të gjitha për bujarinë e humanizmin që e karakterizon familjen Mukollari në Pogradec. Brunilda, ka ndarë me dritare.net një paradite tepër miqësore ku ka rrëfyer sfidat, triumfet e saj, pasi la Shqipërinë në vitin 2001 për të nisur me vrullin e një vajze të re për të plotësuar ëndrrën e saj amerikane edhe pse do linte pas një familje të madhe dhe jetë tepër të mirë financiare.

Brunilda, tregon peripecitë dhe çelësin e saj të suksesit deri tek arritjet e saj në Industrinë e makiazhit si një art në vete. Bumble and Bumble, një ndër kompanitë më të mëdha në Amerikë për produktet e flokëve është një nga eksperiencat më të jashtëzakonshme të Brunildës së bashku me trajnimet nga stilisti më i madh Tony and Guy të cilat ajo i rrëfen këtu në dritarenet.

E nderuar me disa çmime, si pjesë e ‘People Magazines’ në Amerikë, asaj i duhet shpesh të udhëtojë në shumë shtete të Amerikës, por dhe jashtë saj me personazhe të showbiz-it, të cilët ia kanë besuar prej vitesh pamjen e tyre të jashtme. Ndër të tjera, Brunilda rrëfen me nostalgji për dashurinë e saj të vjetër, si të shkruarit. Poezia vazhdon të mbetet ende gjallë në kujtimet e saj, ku nuk e sheh të largët dhe botimin e një libri me poezi.

Dritare.net- Si e mban mend fillimin tënd në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Brunilda Mukollari E kujtoj si tani sa fillim i vështirë. Familja nuk dëshironte të ikja sepse i kisha mundësitë e kushtet e mira ekonomike të bëja një jetë normale në Shqipëri, por doja ëndrrën amerikane që kur e takova për herë të parë ishte asgjë më shumë sesa një sakrificë. Nuk kisha askënd, jetoja në një lagje të Bronksit, një mikeshë më dha një dorë e më ndihmoi për disa kohë, nisa një punë në restorant sepse ishte e vetmja punë që mund të bëja pa letra, por me kalimin e viteve e me shumë forcë e vullnet ia dola të bëja një tjetër shkollë, specializim për make-up artist, edhe pse unë isha e diplomuar për drejtësi, por në këtë vend duhet zanati për të mbijetuar.

Dritare.net- Jeni një ndër emrat më të njohur në fushën e makiazhit, madje keni bashkëpunuar me aktor të Hollivudit, artistë të tjerë, por dhe emra jo pak të njohur në Amerikë. Si ndihesh për këtë?

Këtu askush nuk të falë asgjë, asnjë fjalë të mirë madje. Çdo gjë këtu e arrin me punë e besim, gjë e cila më bën të ndihem kaq krenare për emrin tim që me sakrifica ia kam dalë të shkëlqejë puna ime, sidomos tek njerëzit që dikur i shihja nëpërmjet ekranit e sot i kam klientë e miq shumë të mirë.

Dritare.net Çfarë do veçoje më shumë nga gjithë këto vite karrierë?

Nuk ndaj dot asnjërën nga tjetra, pasi çdo punë është një sukses i radhës për mua. Ndoshta do theksoja fashion shows, ku unë jam gjithnjë pjesë e tyre duke nisur nga firmat e njohura si Channel e të gjitha këto që njihen nga e gjithë bota.

Dritare.net- Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?

Familja sigurisht. Nëna më së shumti, që e kam aq të shenjtë, por dhe si një mike me të cilën ndaj shpirtin dhe pse në distancë. Sigurisht dhe vëllai Genti me motrën Manjola, që i kam motiv të gjithçkaje.

Dritare.net- Një tjetër angazhim i yti ka qenë dhe bashkëpunimi që ke realizuar për organizimin e disa koncerteve në Amerikë me këngëtarë të njohur si Merita Halili, Raif Hyseni, Eli Fara e shumë të tjerë?

Një ndër projektet më të bukura së bashku me një mikun tim, Bekim Xhaferin, kemi realizuar disa koncerte në Grappa, një ndër vendet më luksoze e të njohura nga të gjithë. Arsyeja mbetet e thjeshtë. Sepse më pëlqen të kontribuoj për komunitetin shqiptar për kulturën e traditat tona. Gjithashtu, dua të theksoj dhe pjesëmarrjen time në ‘Radio Emigranti’ ku shpeshherë nëpërmjet valëve të saj i kushtojmë hapësirë të rejave më të fundit për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Amerikë.

Dritare.net- A i dilet kaq lehtë të menaxhosh kohën si një sipërmarrëse në biznesin tënd, por nga ana tjetër dhe e udhëtimeve të shpeshta ?

Kur bën punën që dëshiron gjithmonë ia del mbanë me sukses.

Dritare.net- Cili do jetë impenjimi radhës?

Jam ftuar nga kompania Wella e njohur në industrinë e beauty concept dhe bojërave më të mira në tregun ndërkombëtar për flokët, të marr ekskluzivitetin e produkteve dhe sigurisht që kam në mendje të hap diçka në Shqipëri me kushte të përballueshme për xhepin e çdo gruaje apo vajze, që të ketë mundësinë të ndihet e bukur pa harxhuar shumë. Ky do jetë angazhimi im i radhës ku së bashku me disa partnerë të tjerë të huaj do kem kënaqësinë t’i marr në Shqipëri të njohin dhe fisnikërinë e këtij vendi dhe popullin shqiptar.

Dritare.net- Ju thatë që keni pasion poezinë. Çfarë është poezia për ty?

Mbetet pasioni më i madh që në vegjëli kur nisa të shkruaj. Kam krijuar shumë poezi, i ruaj si thesar të gjitha shkrimet që mendoj se do i botoj jo shumë larg në një libër dedikuar poezisë.

Bota e artit e televizionit më ka pëlqyer gjithnjë, ndoshta dhe duke qenë pjesë e shumë eventeve, koncerteve ku i kam organizuar dhe moderuar në Amerikë. Dua të përmend Merita Halilin me të cilën herë pas here kemi bërë gjëra të bukura artistike për komunitetin shqiptar, meqë mbetet një emër e një këngëtare kaq e dashur për të gjithë, e të bashkëpunosh me njerëz të tillë është kënaqësi më vete.

Dritare.net- Ku mund t’ju gjejnë femrat që dëshirojnë të stilohen e grimohen nga ju?

Është gjithmonë kënaqësi të takoj njerëz dhe pse puna ma kushtëzon këtë gjë, e jo kushdo mund të vijë pa lënë takim më parë, pasi prej vitesh kam klientët e mi, kryesisht të huaj, shumë pak shqiptarë, pasi dhe çmimet janë goxha të larta, variojnë deri në 500 dollarë, një prerje e lyerje flokësh, por në ‘Strand Sallon’ Nju Xhersi, janë të mirëpritur gjithmonë me dashuri e bujari, siç ne shqiptareve na ka hije.

Dritare.net- Ju jeni një vajzë tepër e suksesshme në profesionin tuaj. Po me jetën private, si i keni marrëdhëniet?

Derisa zemrën ta kem të plotësuar, çdo gjë tjetër është për mrekulli.

dritare.net          Nga Kozeta Turishta

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here