Sot, u nda nga jeta për shkak të infektimit me “Covid”, aktori i mirënjohur i humorit, Koço Devole.

U shua gradualisht, orë pas ore, prej 1 jave shtruar në shëndetësinë e 3.7 miliardë Euro PPP e tendera në 7 vite; ku kryeministri thotë, se shëndetësia është falas dhe kushtet e trajtimit mjekësor, janë moderne si në vendet e zhvilluara të BE.

Pa kaluar as 1 minutë nga lajmi në media; presidenti Meta, kryeministri Rama, kryeparlamentari Ruçi, kryebashkiaku Veliaj dhe krye-opozitarët Berisha, Basha e Kryemadhi; mbushën “FB” me “nderime e lotë dhimbjeje” për vdekjen e aktorit.

Por prej 1 jave në spital, në gjendje të mirë fillimisht e të rënduar ditë pas dite; askush nga këta të PD-LSI, që trasmetojnë kronika elektorale për “Zeqon e Beqon” që u pikon çatia, nuk thanë asnjë fjalë për trajtim të tij mjekësor jashtë Shqipërisë.

As këta të “rilindjes” që kanë në dorë buxhetin, e që po harxhojnë miliona lekë për video “3 D”, udhëtime jashtë shtetit e takime elektorale nëpër fshatra; nuk urdhëruan ta çonin dhe Koço Devolen për kurim në Turqi, Itali apo Gjermani.

Siç ka derdhur milionat në vitet 2010-2020, kur ka çuar për kurim jashtë Shqipërisë me fondet e shtetit, 212 deputetë, ministra, këshilltarë, sekretare, dashnore, zv/ministra, ambasadorë, drejtorë/e, badigardë, shoferë e familjarë të tyre.

Janë harxhuar nga 15-30 mijë Euro kurim mjekësor, për secilin nga këta që na kanë bërë për të qarë me paudhësi, korrupsion e krime; por nuk harxhuan një dorë lekë, për Koçon që na ka bërë vetëm për të qeshur.

Për kurimin e aktorit në Turqi, duheshin aq fonde, sa vlera e një garazhdi në Bllok; që edhe nëse Meta, Rama, Ruçi, Basha, Berisha e Kryemadhi, do t’i kishin paguar nga xhepi, u binte nga 1 m2 secilit.

Nuk urojmë, të sëmurët ndonjë nga udhëheqësit tanë; por nëse ndodh, çeqet e buxhetit të shtetit dhe “Çarter”-at privatë, do nisen urgjent drejt spitaleve moderne të Botës.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here