Epidemiologu Artan Simaku, ka deklaruar se rritja e numrit të rasteve të infektuar me Covid-19, ka qenë e pritshme sidomos pas hapjes së shkollave, sepse kontaktet e afërta shtohen.

“Jemi në një situatë të pritshme, që para hapjes se shkollave ishte parashikuar, jo vetëm këtu që do ketë një rritje të numrit të rasteve, për shkak të shtimit të kontakteve. Ka një rritje të rasteve. kjo ishte e pritshme me hapjen e shkollave”, ka thënë epidemiologu, për abcnws.

Më tej ai shtoi se ende nuk parashikohet një mbyllje totale, por sipas tij izolimi do të vijë vetëm në rast se do të plotësohen kapacitetet e spitaleve. Bazuar edhe nga informacioni i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë, Simaku nënvizoi se aktualisht janë mbushur vetëm 50% e kapaciteteve në spitalet Covid. Ndër të tjera ai tha se nëse rastet me Covid do të vazhdojnë të shtohen, atëherë ekziston skenari për hapjen e dy spitaleve të tjera si dhe përfshirjen e spitaleve rajonalë.

“Ditët e fundit është rritur numri i personave të shtruar. Kriteri i vlerësimi është numri i personave që kanë nevojë për shtrim spitalor. Janë përgatitur edhe dy spitale Covid. Përveç atyre janë njoftuar edhe spitalet rajonale kanë potencial për të ofruar shërbimin e tyre

Ne masat i marrim sipas vlerësimit të situatës tek ne. Në shumë shtete të Europës kanë filluar masat shtrënguese. Tek ne nuk bëhet fjalë për masa shtrënguese në fazën aktuale. Masa shtrënguese do të fillojnë kur të ezaurohen kapacitete spitalore. Aktualisht jemi në kapacitet 50% dhe nuk bëhet fjalë për masa shtrënguese në këtë situatë”, ka thënë epidemiologu.

Eksperti epidemiolog foli edhe në lidhje me atë që mund të na presë në muajt e ardhshëm. Simaku u shpreh se koronavirusi dhe gripi do të bashkëjetojnë bashkë, ndërsa është e nevojshme vaksina e gripit.

“Stina e gripit është fundi nëntorit dhe marsi. Do të kemi bashkëqarkullim edhe me koronavirusin. Kjo do të sjellë një situatë më të rënduar e cila do të zgjasë deri në mars. Koronavirusi është një virus i ri dhe nuk e dimë se si do të sillet, kështu që deri në fund të dimrit do të bashkëjetojmë me koronavirusin. Ndërkohë për gripin ekziston vaksina dhe nga vaksinimi i gjithë popullatës por më shumë për grupet me risk do të lehtësohet ngarkesa e sëmundshmërisë”, u shpreh ai.

Publikuar më 16.10.2020 nga Enida Vërça

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here