Të mësosh e vlerësosh gjuhën shqipe, ta shkruash bukur dhe drejt gjuhën e popullit tënd, është diçka më tepër se patriotizëm. Në fund të fundit gjuha është një nga elementet themelore që e dallon një komb nga një komb tjetër, e bën të diferencuar shoqërinë njerëzore nga gjithë bota e gjallesave të tjera. Por në kushtet e teknologjisë e informacionit,shtrirjes masive të kompjuterit e internetit, të vjen seriozisht keq, kur konstaton se në ç’nivele të ulta është katandisur mësimi dhe shkrimi i gjuhës shqipe në shkolla, e sidomos në ato të mesme. Realiteti flet për faktin se një përqindje e mirë e nxënësve nëpër klasa të çdo niveli shkolle nuk dinë ta shkruajnë si duhet gjuhën shqipe

E kur themi që nxënësi nuk di ta shkruajë gjuhën shqipe, nuk kemi parasysh vetëm anën drejtshkrimore të fjalëve, gjë që kjo lë shumë për të dëshiruar tek shumica e nxënësve, por edhe shprehjen morfologjike e funksionin sintaksor të tyre. Problem shqetësues është mësimi i gjuhës shqipe, shkrimi i bukur dhe i drejtë i saj në shkollat e mesme, saqë po krijohet mendimi se lënda e gjuhës është e panevojshme! Edhe nxënësit e viteve të para, që vijnë me një bagazh të freskët gjuhësor nga shkollat 9- vjeçare, ku zhvillohet në orë të konsiderueshme lënda e gjuhës shqipe, kanë boshllëqe të mëdha në drejtim të formimit gjuhësor.

Pra lë nxënësit e klasave më të larta të gjimnazeve, që po thuajse nuk kanë as njohuritë më elementare të gjuhës shqipe. Në një test kontrolli që u bë me nxënësit e viteve të para të një gjimnazi, afro 75 % e tyre nuk njohin rregullat e drejtshkrimit, kurse mbi 60% nuk njohin e nuk dallojnë pjesët e ligjëratës nga njera- tjetra. Kurse pothuajse të gjithë nxënësit nuk kanë të qartë funksionin sintaksor të fjalës. Kurse për kaligrafinë e shkrimit mund të thuhet se ajo është totalisht e deformuar, duke shtrembëruar në ekstrem skeletin e çdo germe nga origjina e mësuar në abetare.

Së pari, vetë lënda e gjuhës shqipe nuk zhvillohet më si shkencë më vete në shkollat e mesme. Na çudit fakti që edhe pse teksti i shkollave të mesme titullohet “Gjuha shqipe dhe Letërsia”, në fakt problemet që trajtohen e zhvillohen në këtë lëndë janë krejtësisht letrare dhe nxënësi nuk mëson asgjë gjuhësore. Në zhvillimin e lëndëve shkencore në shkolla është përcaktuar qartë edhe gjuhësia me degët e saj si fonetika, leksikologjia e gramatika, ku kjo e fundit është më e rëndësishmja si degë, pasi nxënësi njihet me ndryshimin formësor që pëson fjala dhe me sintaksën që ka të bëjë me funksionin e fjalës në togfjalësh e fjali. Që të zhvillosh lëndën e gjuhës në shkollë, do të thotë që të tria degët e gjuhësisë, sipas specifikës e raportit me shkencat e tjera, të zhvillohen me program të plotë në çdo klasë. Edhe pse zhvillimi i lëndës së gjuhës në shkollë bëhet sipas një programi koncentrik, prapë nxënësi e ka të domosdoshme që sipas klasave përkatëse, edhe në mos qoftë i nevojshëm zgjerimi i njohurive gjuhësore, të paktën rifreskimi e përsëritja e tyre, sipas një planifikimi të caktuar duhet bërë. Mënyrë e ndërtimit të tekstit të shkollave të mesme, duke përzier letërsinë me gjuhën, ku në fakt nuk zhvillohet e nuk përsëritet asnjë koncept gjuhësor, por duke mbuluar me frazeologjizma e terma letrarë, me studime teksti e përshkrime artistike anën gjuhësore të çështjeve, bën që nxënësi të mos orientohet asnjëherë gjuhësisht e të rritet e të shkollohet duke e harruar lëndën e bukur të gjuhës.

Çdo lëndë që zhvillohet në shkolla është e rëndësishme, dhe gërshetimi i tyre është i domosdoshëm, por në raportin gjuhë- letërsi është ngrënë haku në favor të letërsisë, duke i shkaktuar nxënësit boshllëk të pashmangshëm në drejtim të asimilimit të koncepteve gjuhësore. Kështu në lëndën e gjuhës është e domosdoshme të zënë më shumë vend asimilimi i njohurive drejtshkrimore, koncepti i fjalës si funksion sintaksor, gjë kjo shumë e domosdoshme për komunikimin e përditshëm të nxënësit si dhe për të ardhmen e tij. Një njeri i kulturuar dhe i arsimuar vlerësohet në radhë të parë nga fakti, se sa ai e zotëron dhe si e flet gjuhën e kombit të vet.

Mare nga Bota Sot

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here