Kompania e prodhimit të vaksinave, AstraZeneca ka ulur përsëri parashikimin e saj për shpërndarjet e vaksinave në Bashkimin Evropian në tremujorin e parë të vitit 2021, duke u thënë zyrtarëve të BE-së, se pret të sigurojë vetëm rreth 30 milion doza deri në fund të marsit, sipas një dokumenti të datës 10 mars dhe konfirmuar për gazetën “Shekulli”.

Lajmi u raportua së pari nga agjensia e lajmeve ndërkombëtare, Reuters.

Kriza vjen si pasojë e pakënaqësisë dhe skepticizmit që disa vende të Bashkimit Europian kanë për këtë vaksinë. Nëntë vende të BE-së, Lituania, Estonia, Letonia dhe Luksemburgu, Austria, Danimarka, Norvegjia dhë së fundi, Bullgaria dhe Rumania e kanë bllokuar procesin e vaksinimit me Astra Zeneca.

E kundërta po ndodh në Shqipëri. Vendi ynë do të marrë 38 400 vaksina Astra Zeneca ndërkohë që shumë vende europiane po kërkojnë bllokimin e përkohshëm të saj pas frikës së shtuar, për shkaktimin e vdekjeve, si pasoje e problemeve me mpiksjen e gjakut. Kryeministri Rama u mburr dy ditë më parë se ajo do të mbërrinte sot në Shqipëri. “Pasnesër mbërrijnë 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkruajti Rama në Facebook.

Por ndonëse këto raste kanë alarmuar një pjesë të Europës, duket se Shqipëria do t’i përmbahet parimit se, dëmet nga vaksinimi janë gjithsesi më të vogla se përfitimet prej tij. Dëshpërimisht e etur për vaksina në prag të fushatës elektorale qeveria ka marrë vendimin te ecë përpara me dozat e reja. Nuk dihen se nga mund të vijnë vaksinat që janë të destinuara për Shqipërinë.

“Ne jemi informuar që seria që vjen nesër nuk është e njëjta seri që ka shkuar në Danimarkë. Ka një seri që konsiderohet problematike dhe ky numër serie është bllokuar. Ka dalë dhe sot OBSH me një deklaratë ku thotë se pavarësisht se EMA është duke shqyrtuar këto lot të vaksinës, pjesa tjetër duhet të vazhdojë vaksinimin duke monituar”, tha të enjten në opinion ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Autoritetet shqiptare nuk mendojnë as se AstraZeneca mund të shkaktojë probleme tek moshat mbi 65 vjeç. Produkti i universitetit të Oksfordit shihet me shumë dyshime në Gjermani dhe në Francë, sidomos pas një deklarate të presidentit Macron se ajo është “pothuajse jo efikase për mbi 65 vjeçarët”. Gjermania refuzon ta përdorë në politikat e saj të vaksinimit për këtë moshë, ndërsa Bullgaria e ka zbritur atë në 55 vjeç.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino e ka mbrojtur këtë ide: “Vaksina do të përdoret në të gjitha grup moshat siç përdoret Pfizer. Vendimi është kthyer edhe nga ato vende që morën një vendim që të mos vaksinonin persona mbi 65 vjeç për shkak të dhënave të pakta që kishte në studimin fillestar. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar, që e ka përdorur këtë vaksinë në të gjitha grup moshat, tregojnë që ajo është efektive, e sigurt edhe mbi 65 vjeç dhe kjo ka qenë arsyeja që Komitetet teknike i kanë tërhequr vendimet e marra”, deklaroi Bino.

Pse po ndërpret prodhimin e vaksinave AstraZeneca

CEO i AstraZeneca Pascal Soriot u kishte thënë eurodeputetëve të Parlamentit Europian më 25 shkurt se kompania do të provonte dhe dorëzonte 40 milion doza deri në fund të marsit, tashmë një rënie e theksuar nga synimi i 80 deri në 100 milion doza të shkruara në kontratën midis Komisionit Evropian dhe firmës.

Ky zotim ishte një rritje nga 30 milion doza që AstraZeneca kishte njoftuar për tremujorin e parë për shkak të rendimenteve të prodhimit “më të ulëta se sa pritej”, tha Soriot muajin e kaluar – dhe kjo erdhi pas presionit nga BE.

“Kjo ngritje… nuk është materializuar për shkak të vështirësive me të cilat përballet kompania në lëvizjen e vaksinave nëpër zinxhirët globalë të furnizimit”, tha një person afër kësaj çështje të premten, duke shpjeguar mungesën e dozës prej 10 milion.

Sipas Reuters, BE mund të presë edhe 20 milion doza të tjera të Oxford/AstraZeneca në prill.

Por 180 milion doza të pritura në tremujorin e dytë tani janë gjithashtu në rrezik, pasi gjysma e këtyre dozave ishte planifikuar të merreshin nga zinxhiri global i furnizimit.

“Unë shoh përpjekje, por jo” përpjekje më të mira”. Kjo nuk është ende mjaft e mirë që AstraZeneca të përmbushë detyrimet e saj Q1″, tha Komisioneri i Tregut të Brendshëm Thierry Breton të enjten në mbrëmje në Twitter. “Është koha që bordi i AstraZeneca të ushtrojë përgjegjësinë e tij të besimit dhe tani të bëjë atë që duhet për të përmbushur angazhimet e AZ”.

Që nga 7 marsi, AstraZeneca kishte dorëzuar më shumë se 11 milion doza në BE.

Gjermania siguron se vaksina e AstraZeneca është e sigurt

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spann dhe kreu i Institutit Robert Koch, Lothar Wheeler, thonë se vaksina AstraZeneca kundër koronavirusit është e sigurt dhe shprehin zhgënjimin me vendimin e vendeve të tjera evropiane për ta pezulluar atë.

“Ajo që dimë deri më tani tregon se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet, edhe pas të gjitha incidenteve që janë raportuar”, tha Z. Span, duke theksuar se të gjitha çështjet që dilnin u morën shumë seriozisht dhe po shqyrtohen nga Instituti Paul Ehrlich. “Më vjen keq që disa vende të BE-së kanë ndaluar dhënien e saj. Unë mendoj se është e rëndësishme të gjesh ekuilibrin e duhur dhe çështja është të zbulosh nëse ekziston një lidhje shkakësore midis vaksinës dhe efektet anësore”, shtoi Ministri i Shëndetësisë.

Profesori Wheeler, nga ana e tij, theksoi se në Gjermani përdorimi i kësaj vaksine u vendos pasi autoritetet kompetente kishin kontrolluar të gjitha të dhënat, ndërsa ai sqaroi se “nuk ka asnjë provë se ekziston një korrelacion i madh statistikisht”, midis problemeve me vaksinën.

“Duhet ta dini se në Gjermani vdesin mesatarisht 900,000 njerëz çdo vit. Vdekja është pjesë e jetës dhe kur vaksinojmë të moshuarit, natyrisht është e qartë se ekziston një lidhje kohore midis vaksinimit dhe vdekja eventuale e një personi të moshuar. Kjo është statistikë e pastër. Sidoqoftë, është e rëndësishme që të monitorojmë nga afër zhvillimet”, shtoi ai.

Përgatiti: Erjon Dervishi 

shekulli online

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here