14-vjeçarja G. K., që u mbyt tragjikisht pasditen e djeshme në ujërat e lumit Devoll në Kuçovë, është përcjellë sot mes lotësh për në banesën e fundit. Ark-morti i të miturës është shoqëruar me dhimbje e lot nga banesa e saj drejt varrezave të qytetit të Kuçovës nga familjarë, shokë e shoqe të klasës, komshinj e banorë të qytetit. Viktima ishte nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Rreth Tapi” në lagjen Ferma-Partizani në qytetin e Kuçovës.

Mesditën e djeshme ajo ka qenë në lumë, duke u larë me vëllanë 12-vjeç dhe 10 shoqet e saj. Së bashku me shoqen e ngushtë, duke notuar kanë shkuar në një thellësi dhe uji i ka tërhequr poshtë. Shoqja e ngushtë e 14-vjeçares ka mundur të dalë me not nga lumi, por nuk ka mundur dot të nxjerrë nga uji atë, e cila për shkak se nuk dinte not është mbytur .Mësuesja e 14-vjeçares, Erisilda Hoxha, tregon se 14-vjeçarja ishte një vajzë me ëndrra për jetën, një vajzë që e donte dijen dhe që nuk vinte kurrë pa detyra në shkollë. Hoxha tregon se 14-vjeçarja ka jetuar në kushte tejet të vështira ekonomike dhe vdekja e saj tragjike ishte shokuese për të dhe për të gjithë bashkëmoshatarët e saj.

Ngjarjen e kam mësuar nga bashkëfshatarët, të cilët më njoftuan me telefon se çfarë kishte ndodhur. Shkova menjëherë në banesën e saj dhe aty mësova se si kishte ndodhur ngjarja fatale. Mësova se 14-vjeçarja së bashku me shoqet e saj dhe vëllain 12-vjeç kishte shkuar në lumë për të luajtur me top dhe pas lojës ishin futur në ujë për t’u freskuar. Ajo nuk dinte not dhe u mbyt në thellësinë e lumit, ndërkohë që edhe shoqja e saj e ngushtë rrezikoi të mbytej në të njëjtën thellësi ku kishte shkuar me 14-vjeçarja”-, ka thënë mësuesja e viktimës 14-vjeçare Erisilda Hoxha. Mësuese Eri tregon edhe ëndrrën e madhe që kishte 14-vjeçarja për t’u bërë police. Ajo tregon se ëndrra dhe dëshira më e madhe e të miturës ishte të bëhej police dhe t’i shërbente komunitetit nëpërmjet rregullit. Mësuesja Erisilda Hoxha bën apel për ndihmë për familjen e të miturës, pasi dy prindërit e saj dhe vëllai 12-vjeç jetojnë në kushte ekstremisht të vështira ekonomike.

E sapokthyer nga funerali i vajzës 14-vjeçe, njëra prej komshinjve të saj, zonja Xhevaire Bani, flet me lot në sy për humbjen tragjike të jetës së 14-vjeçares, të cilën ajo e përshkuan si një vajzë ekselente, që ishte zgjedhur presidente e shkollës dhe një vajzë me ëndrra për jetën. Duke treguar se si e mësoi vdekjen e saj nga shoqet e saj, ajo shprehet se familja e vajzës është një familje e ndershme, por një familje shumë e varfër. Zonja tregon se vajza kishte dashur që, edhe pse në moshë 14-vjeçe, të fillonte një punë gjatë pushimeve të shkollës për të ndihmuar familjen e saj me të ardhura. Zonja Bani tregon se gjatë funeralit të të miturës, e ëma e saj Djana ka dashur të hidhet mbi varr, duke ulëritur se vajza e saj ka frikë të rrijë vetëm dhe se ajo nuk mund ta linte aty nën dhe.

Edhe një prej shoqeve të saj të klasës, duke u shprehur se 14-vjeçarja ishte një vajzë shembullore, bën apel për ndihmë për familjen e saj që jeton në kushte tejet të vështira ekonomike.

(BalkanWeb)

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here