Policia e Shtetit ka dhënë njoftim në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha në zonën e Kamzës.





Policia thotë se rasti është njoftuar në komunikatën e përditshme, dy ditë pas deklarimit të tij të zhdukur, dhe tashmë kanë nisur hetimet për rrëmbim personi.

Njoftimi i policisë:





Më datë 24.10.2021, shtetasi S. H. ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.5, se më datë 20.10.2021, rreth orës 23:00, është larguar nga banesa babai i tij, shtetasi Ruzhdi Hoxha, 43 vjeç, banues në Paskuqan, dhe prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të.





Menjëherë pas denoncimit të marrë, Sektori i Hetimit të Krimeve të Renda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr.5, kanë vlerësuar maksimalisht denoncimin duke verifikuar çdo informacion dhe kanë kryer kërkime e kontrolle në ambiente e vende të ndryshme.





Veprimet procedurale shtesë i janë dërguar Prokurorisë dhe mbi bazën e tyre është regjistruar procedimi penal Nr.7713, datë 27.10.2021, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Nga strukturat e DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon puna e pandërprerë për gjetjen e shtetasit Ruzhdi Hoxha, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.





Ruzhdi Hoxha ishte larguar nga banesa e tij në zonën e Kamzës mbrëmjen e 21 Tetorit, i ftuar nga miku i tij për të bërë së bashku një xhiro me makinë.

Por prej atij momenti, Hoxha nuk është kthyer më në banesë, duke lënë në ankth familjarët për fatin e tij. Ka qenë vëllai i Ruzhdi Hoxhës ai që ka bërë denoncimin fillimisht në komisariatin e policisë në Kamëz, dhe ngjarja fillimisht u trajtua si largim nga banesa.





Me kalimin e ditëve ngjarja po trajtohet si zhdukje dhe rrëmbim personi, dhe është duke u hetuar nga sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e shtetit.





Ndërkohë policia ka gjetur një celular në afërsi të “Shkollës së bashkuar”, që dyshohet se i përket personit të zhdukur, që mund të hedhë dritë dhe në lidhje me komunikimet e fundit që Hoxha ka pasur.

Hera e fundit që Ruxhdi Hoxha është fikuar nga kamerat e sigurisë është në autostradën Tiranë-Durrës kur ka qenë duke pirë kafe, me dy persona të tjerë.





Policia ka shoqëruar mikun me të cilin është takuar për herë të fundit biznesmeni, shtetasin F.Rr, i cili nga ana e tij rezultonte se kishte probleme me drejtësinë italiane.

Ende nuk dihet deklarata që ka bërë miku i viktimës që e ka parë për herë të fundit biznesmenin, ndërkohë që familja mbetet në ankth për shëndetin dhe jetën e Hoxhës.





Polica ka kontaktuar familjarët e të zhdukurit, ku bëhet e ditur se ky i fundit për 7 ditë e ka mbajtur telefonin të fikur. Pas shtatë ditësh telefoni i 43-vjeçsrit rezultoi aktiv por Hoxha nuk iu përgjigj thirrjeve.

Në mënyrë jozyrtare burime bëjnë me dije se biznesi i tij i inerteve ishte në prang falimenti dhe Hoxha ishte zhytur në borxhe, për shkak të krizës financiare.





Hoxha është baba i dy fëmijëve, ndërkohë që në kërkimin e tij janë angazhuar dhe familjarë, përfshirë vëllezërit e tij, të cilët po ndjekin dhe rastin në bashkëpunim me policinë.

Burime bëjnë me dije për Fax News se kjo nuk është hera e parë që Ruzhdi Hoxha largohet nga banesa pa gjurmë dhe në këtë formë.





Edhe më parë familjarët e kanë denoncuar si të larguar nga banesa dhe me pas është kthyer vete në shtëpi, por në të dyja rastet e mëparshme, zhdukja e tij ka zgjatur jo më shumë se dy ditë.

Leave A Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here